back to top
28.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetPas Dredhës vë përpara Llatjan/ Rama nuk kursen kryebashkiakët

Pas Dredhës vë përpara Llatjan/ Rama nuk kursen kryebashkiakët

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me tonet kritike ndaj pushtetit vendor, duke shënjestruar këtë herë Bashkinë e Elbasanit dhe atë të Lushnjës. Në një takim me kryebashkiakët në Durrës, Rama ironizoi gjendjen në Elbasan, ndërsa kërkoi shkarkime masive në administratë dhe riorganizim të plotë të strukturave drejtuese.

Duke përdorur një ton sarkastik, Rama u shpreh se barishtet në varrezat e Elbasanit janë lënë aq pas dore, sa “kanë potencialin të bëhen kallamishte”.

“Bari i varrezave të Elbasanit ka potencial të bëhet kallam dhe të bëhen varrezat si kallamishte. Një lloj bari që aq shumë është lënë pa u prekur, sa jo vetëm rritet, por synon të bëhet kallam. Pastaj dikush i vë flakën dhe për turp bëhen varrezat vend zjarresh,” tha Rama.

Kritika për kryetarin Llatja: “Nuk mund të mos dish çdo tullë që vihet në qytet”
Kryeministri vuri në pikëpyetje informimin dhe përgjegjësinë e kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, duke thënë se është e papranueshme që në një qytet relativisht të vogël, drejtuesi vendor të mos jetë në dijeni të ndodhive në terren.

“Është e pakonceptueshme të mos dijë kryetari i bashkisë se çfarë ndodh në qytet. Elbasani nuk është Shanghai! Një qytet që mund ta ecësh në këmbë nga cepi në cep. Të mos jetë i informuar për çdo tullë që vihet? E pamundur, nëse i ka sytë hapur dhe i rri në kokë gjërave,” deklaroi Rama.

Shkarkime në Elbasan e Lushnjë: “Duhet shkundur e gjithë kjo pemë”
Rama tha se në Elbasan dhe Lushnjë duhet të përsëritet modeli i ndërhyrjeve në bashkitë e tjera, përfshirë pezullime dhe dorëheqje masive drejtorësh, me qëllim krijimin e hapësirave për figura të reja.

“Edhe në Bashkinë e Elbasanit edhe në atë të Lushnjës duhet bërë e njëjta gjë: pezullimi i plotë, shkarkimi i drejtorëve me dorëheqje, për t’u dhënë mundësi të tjerëve të tregojnë veten. Duhet shkundur e gjithë kjo pemë,” theksoi ai.

Kreu i qeverisë e mbylli deklaratën me një mesazh të qartë politik, duke nënvizuar përgjegjësinë që i vjen nga mbështetja elektorale në këto zona:

“10 mandatet në Elbasan, bashkë me ato në Fier e Vlorë, më kanë marrë edhe orët që flija gjumë. Duhet të të lëmë pa gjumë ty, jo të flesh më shumë.”

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat