Partia Demokratike zhvilloi sot mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar procesin elektoral si një “farsë” dhe duke diskutuar mbi qëndrimin e ardhshëm politik të forcës kryesore opozitare.
Në fjalën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për sundim autokratik, duke e krahasuar realitetin aktual politik me një diktaturë.
“Mblidhemi sot për një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm: qëndrimin e forcës sonë politike ndaj farsës elektorale të 11 majit. Shqipëria përjeton një diktaturë autokratike. Ky realitet duhet kuptuar më qartë nga opinioni publik dhe mbi të gjitha nga anëtarësia jonë,” tha Berisha.
Duke pranuar edhe gabimet e opozitës, Berisha theksoi se mungesa e një komunikimi të qartë politik ka ndikuar në perceptimin e situatës nga qytetarët dhe mbështetësit e opozitës.
“Nuk është çështje e mungesës së vullnetit të anëtarësisë, por e punës sonë të dobët për të qartësuar konceptet politike dhe për të ndriçuar opinionin mbi kapjen e plotë të pushtetit nga regjimi i Ramës,” – shtoi kreu i demokratëve.
Mbledhja e Kryesisë së PD-së pritet të vijojë me diskutime mbi aksionin politik pas zgjedhjeve dhe koordinimin me faktorët ndërkombëtarë për të denoncuar atë që opozita e konsideron proces elektoral jo të lirë dhe jo të ndershëm.