Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë ka vendosur sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në pronësi të shtetases S.T., noter, si dhe të familjarëve të saj.
Hetimet kanë treguar se gjatë periudhës 2013–2024, S.T. ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, duke përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”. Janë evidentuar gjithsej 13 pasuri të paluajtshme, si dhe llogari bankare me vlera të larta.
Gjithashtu, shtetasja ka investuar edhe në pasuri të luajtshme, përfshirë makina luksoze dhe sende me vlerë, të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e ligjshme të deklaruara nga aktiviteti i saj si noter.
Hetimet kanë zbuluar një mospërputhje të dukshme midis të ardhurave të ligjshme dhe shpenzimeve të kryera, duke ngritur dyshime se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive mund të ketë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë “Shfrytëzimin e prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.
Vendosja e sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së mundshme të paligjshme të fondeve.
Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestron pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases S.T. me profesion notere si dhe të familjarëve të saj.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, shtetasja S.T. ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.
Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.
Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.
Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme.
Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.