Në seancën e fundit për çështjen “Partizani”, Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur të lejojë vetëm filmimin e momenteve të nisjes së procesit, duke refuzuar regjistrimin e plotë të seancës, kërkesë e bërë nga mediat dhe avokati Jamarbër Malltezi. Ky vendim është kundërshtuar nga Malltezi, i cili e ka konsideruar të pamjaftueshme transparencën e dhënë dhe jo thjesht një shfaqje për publikun.
Avokati Sokol Hazizaj, që përfaqëson kompaninë “Homeplan” dhe Fatmir Bektashin, ka kërkuar pavlefshmërinë e një sërë aktesh, duke argumentuar se procesi ka karakter politik dhe kallëzimi është bërë nga një subjekt politik ndaj një subjekti tjetër politik. Ai ka theksuar se provat e sekuestruara nuk janë individualizuar për secilin subjekt dhe prania e tyre në proces mund të dëmtojë parimin e identifikimit të saktë të provave.
“Ky proces ka dy shtylla. Njëra është e karakterit politik, pasi kallëzimi është bërë nga një subjekt politik dhe ndaj një subjekti politik,” tha Hazizaj, duke kërkuar që të gjitha provat të konsiderohen të pavlefshme, përfshirë procesverbalet dhe ekspertizat e kryera nga Prokuroria e Posaçme.
Ndërkohë, avokatja e Andia Pustinës, Klodjana Gjyzari, kërkoi pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve, duke argumentuar se kontrolli nga policia gjyqësore u krye pa vendim gjykate, duke cënuar privatësinë.
Prokurori i SPAK-ut, Arben Kraja, kërkoi kohë për t’u shprehur mbi pretendimet e mbrojtjes, dhe seanca e radhës u shty për më 13 tetor.



