back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaPasuri mbi 2 milionë euro nën hetim/ Prokuroria Fier godet pronat e...

Pasuri mbi 2 milionë euro nën hetim/ Prokuroria Fier godet pronat e paligjshme

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka njoftuar se ka sekuestruar një automjet luksoz të tipit “Lamborghini Urus Mansory”, në kuadër të një hetimi për pastrim parash dhe pasurim të paligjshëm.

Automjeti, me vlerë të lartë dhe i modifikuar nga fabrika Mansory në Dubai, rezulton të jetë futur në territorin shqiptar nëpërmjet personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së tij.

Sekuestrimi është bërë me vendim të datës 10 korrik 2025, si pjesë e procedimit pasuror nr. 3 të vitit 2024, që lidhet me hetimet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bazë të nenit 287 të Kodit Penal.

Ky veprim është një vazhdimësi e procedimit penal nr.1162, i nisur më 15.10.2020 ndaj shtetasit A.M., ndaj të cilit tashmë janë sekuestruar më parë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me një vlerë totale prej rreth 2 milionë euro – përfshirë automjete të tjera luksoze, bizhuteri dhe shuma të konsiderueshme monetare.

Prokuroria Fier deklaron se ky veprim është pjesë e angazhimit të saj për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin dhe korrupsionin, duke përdorur masat parandaluese mbi pasuritë, siç parashikohet në Ligjin nr.10192, datë 03.12.2009.

“Hetimet do të vijojnë me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e çdo pasurie që është produkt i veprimtarisë kriminale,” – thekson Prokuroria, duke sinjalizuar një qasje më agresive ndaj grupveprave që synojnë pasurimin e paligjshëm.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat