Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Sipas PD-së, Peleshi ka ndërprerë “në mënyrë arbitrare” mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku diskutohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Partia pretendon se kryetari i Kuvendit nuk caktuar mbledhjen e ardhshme, duke përdorur si arsyetim nevojën për t’u njohur me dokumentet shoqëruese të kërkesës së Prokurorisë.
Në kallëzimin e depozituar, PD thekson se pesë deputetët e Grupit Parlamentar, anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur mbledhjen e Këshillit më datat 22, 23, 29, 30 Dhjetor 2025 dhe 6 Janar 2026, duke arsyetuar se koha ka qenë e mjaftueshme për t’u njohur me aktet dhe përgatitur mbrojtjen. Partia thekson gjithashtu se shtyrja e mbledhjeve ka dëmtuar mbarëvajtjen e hetimeve të SPAK-ut.
PD pretendon se Peleshi ka refuzuar në mënyrë të paligjshme kërkesat e deputetëve, duke shkelur detyrimet që i jepen nga Rregullorja e Kuvendit (neni 13, pika 6), dhe si rezultat, ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”. Kallëzimi thekson se mosveprimi i kryetarit ka dëmtuar të drejtën e deputetëve dhe interesin publik për mbarëvajtjen e hetimeve penale.
SPAK apo kryetari i Kuvendit nuk kanë bërë ende një reagim zyrtar lidhur me kallëzimin e depozituar nga Partia Demokratike.



