Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në emër të opozitës, ka paraqitur një Notë-Verbale Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, lidhur me deklaratat e Komisioneres Marta Kos për zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Deklarata e Komisioneres Kos u bë gjatë një konferencë për shtyp më 21 nëntor 2025 në Tiranë, ku ishte e pranishme edhe Kryeministri Edi Rama. Ajo deklaroi se:
“Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime, dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian.”
Nga ana e saj, opozita përmes Bardhit shpreh shqetësim mbi këtë deklaratë:
“Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh qëndrimet e shprehura nga Anëtarët e Parlamentit Evropian që shërbyen si vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian.”
Notë-Verbale e dorëzuar në BE synon të tërheqë vëmendjen për pasaktësinë e vlerësimit të Komisioneres Kos dhe për të siguruar që shqetësimet e opozitës të marrin zë në institucionet europiane.



