Partia Demokratike ka njoftuar se do të depozitojë një padi për “mashtrim publik” ndaj kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit mbi kompetencat e gjykatave për pezullimin e anëtarëve të qeverisë. Në një deklaratë të gjatë për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Ramën se po përdor në mënyrë të rreme Komisionin e Venecias dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për të justifikuar qëndrimet e tij.
Berisha deklaroi se asnjë dokument i Venecias nuk konfirmon pretendimet e Ramës se gjykatat nuk mund të pezullojnë ministrat pasi kjo cenon balancën e pushteteve. Ai e cilësoi këtë interpretim “mashtrim në çdo germë, në çdo fjalë”, duke theksuar se qëllimi i masës së pezullimit është mbrojtja e hetimit dhe parandalimi i përsëritjes së veprave penale.
“Kundër çdo jurisprudence të GJEDNJ-së. Mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim. Nuk ka asnjë fjali të Venecias që të thotë se pezullimi i ministrit është shkelje e kufirit të pushteteve”, u shpreh Berisha, duke shtuar se në shumë vende europiane ministrat janë pezulluar ose japin dorëheqjen sapo fillojnë hetimet.
Ai akuzoi Ramën se po përpiqet të mbrojë zëvendëskryeministren Balluku, duke thënë se “zyrat duhej të ishin vendosur në sekuestro” dhe se “vendimi i gjykatës nuk mund të ishte tjetër veçse arrestimi”.
Duke komentuar deklaratat e Ramës se kryeministri largohet vetëm me dorëheqje ose me vendim të formës së prerë, Berisha tha se bëhet fjalë për “trillime dhe mashtrime”, duke sjellë si shembull raste të pezullimit të kryeministrave dhe ministrave në vende të tjera.
“PD do padisë Ramën që nesër për mashtrim publik. Nuk ka asnjë dokument të Venecias që të thotë këto broçkulla”, përfundoi Berisha.



