Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, konfirmoi sot se do të rikandojë për drejtimin e partisë për katër vitet e ardhshme gjatë procesit zgjedhor që do të zhvillohet më 23 maj.
“Kush të tha që jo? Po si e bën këtë pyetje. Kaq është përgjigja,” u shpreh Berisha gjatë konferencës për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjes për rikandidimin.
Sipas Nenit 48 të statutit të PD-së, kryetari nuk mund të rikandidojë nëse ka drejtuar partinë në zgjedhjet e fundit dhe i ka humbur ato. Megjithatë, Berisha theksoi se ky nuk është rasti i tij, pasi zgjedhjet e vitit të kaluar nuk i konsideron të rregullta, por një “farsë elektorale”.
“Neni flet për zgjedhje, jo për fazë elektorale. Nëse ka një realitet, janë zgjedhjet ishin farsë elektorale. Kur zgjedhjet janë normale, është detyra e drejtuesit për dorëheqje,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se nuk ka nevojë për ndryshime në statut, por nënvizoi se ky nen nuk do të aplikohet në zgjedhjet e 23 majit:
“Nuk ka pse ndryshon. Ai nen bën fjalë për zgjedhje. Ndryshimet e statutit janë një proces normal para çdo Kuvendi. Vijnë propozime të ndryshme dhe je i detyruar t’i shqyrtosh ato. Ai nen flet për zgjedhje,” tha Berisha.



