Pas arrestimit të Erion Veliajt, mesditën e sotme, SPAK-u ka zbardhur detaje nga hetimet dhe akuzat e ngritura daj kryebashkiakut, bashkëshortes së tij, pesë biznesmenëve dhe jo vetëm.
SPAK gjithashtu thotë se ka vënë nën hetim deputeten e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, pasi kjo e fundit akuzohet se ka penguar zbulimin e të vërtetës.
“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K.B.
Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.