Gjatë raportimit të veprimtarisë së SPAK për vitin 2024 në Kuvend, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është përballur me pyetje nga deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi.
Boçi kërkoi sqarime se përse, sipas opozitës, kryeministri Edi Rama “është shpallur i paprekshëm” nga drejtësia.
Në përgjigjen e tij, Dumani u shpreh qartë se për SPAK nuk ekziston asnjë i paprekshëm dhe se çdo hetim zhvillohet mbi bazën e provave, jo të emrave:
“Për SPAK nuk ka të paprekshëm! Siç e kam thënë edhe më parë, për prokurorët e posaçëm nuk kanë rëndësi emrat, por vetëm provat,” deklaroi kreu i SPAK.
Dumani theksoi se çdo procedim penal niset nga fakti penal dhe më pas vijon në drejtim të autorëve të veprës penale, duke shtuar se hetimet e prokurorëve të posaçëm janë të gjithanshme dhe të pavarura.
“Në çdo procedim penal hetohet fillimisht në drejtim të faktit penal dhe më tej në drejtim të autorëve të veprës penale. Të gjitha këto raste që përmendi, prokurorët kryejnë hetime të gjithanshme,” sqaroi ai.



