back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetPërmbytjet në Durrës/ Pas disa ditësh, Sako del me justifikime

Përmbytjet në Durrës/ Pas disa ditësh, Sako del me justifikime

Durrësi ishte një nga zonat më të prekura nga përmbytjet që paralizuan vendin gjatë ditëve të fundit. Opozita ka hedhur akuza se situata është rënduar për shkak të mosfunksionimit të hidrovorëve, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga autoritetet vendore dhe qeveria.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale se të dy hidrovorët e Porto Romanos, si ai i riu ashtu edhe ai i vjetri, kanë qenë në punë dhe po funksionojnë me kapacitet maksimal. Sipas saj, nëse hidrovorët nuk do të kishin qenë funksionalë, situata e krijuar nga reshjet intensive do të kishte qenë shumë më e rëndë.

“Shoqëruar nga një debat i vazhdueshëm dhe akuza nga opozita nëse punojnë apo jo hidrovorët në Durrës, madje deri nëse ka apo jo hidrovor qyteti, duhet theksuar se situata e këtyre ditëve të vështira për të gjithë do të ishte shumë herë më e keqe në rast të mosfunksionimit të tyre. Të dy hidrovorët e Porto Romanos, i riu dhe i vjetri, po punojnë me kapacitete maksimale”, shkruan Sako.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe drejtori i ndërmarrjes “Rruga”, Alion Hysko, e cila ka në administrim hidrovorët e Porto Romanos. Ai bëri të ditur se aktualisht janë në punë 9 pompa dhe se sistemi ka funksionuar me kapacitet të plotë, pavarësisht prurjeve shumë të larta.

“Prurjet dhe intensiteti i reshjeve kanë qenë të larta. Pompat janë në punë dhe në funksion. Hidrovori i ri ka punuar me kapacitet të plotë, ndërsa bllokimet e shkaktuara nga mbetjet janë pastruar në kohë. Tek hidrovori i vjetër janë 7 pompa, 6 prej tyre janë në funksion dhe një mbahet për raste emergjente”, deklaroi Hysko.

Një ditë më parë, akuzave të opozitës iu përgjigj edhe kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile. Ai theksoi se të gjithë hidrovorët në vend kanë qenë në punë dhe se para nisjes së sezonit të reshjeve është siguruar gatishmëria e kanaleve kryesore të kullimit, hidrovorëve dhe kanaleve të ujërave të larta.

Ndërkohë, përmbytjet në Durrës dyshohet se kanë shkaktuar edhe një viktimë. Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e situatës, duke regjistruar procedim penal për tre vepra: “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrim prone me përmbytje” dhe “Shkatërrim prone nga pakujdesia”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat