back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaPërmbytjet në Durrës/ Prokuroria nis hetimet për 3 vepra penale

Përmbytjet në Durrës/ Prokuroria nis hetimet për 3 vepra penale

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me përmbytjet në Durrës që rezultuan me një viktimë dhe dëme të shumta materiale në banesa dhe tokë bujqësore.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për media Prokuroria bën me dije se hetimi ka nisur për tre vepra penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

“Situata e krijuar përgjatë dy ditëve për shkak të reshjeve të vazhdueshme ka krijuar problematika reale të dukshme për personat fizikë, për mirëqenien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme të cilat kanë qenë të dallueshme për çdo person ndërkohë që një pjesë e dëmeve janë publikuar edhe në median e shkruar, atë onlinë dhe televizionet kombëtare.

Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin e normale arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.

Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shkaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale.

Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Sipas informacioneve rezulton se ky shtetas ka shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet dhe vërshimet e ujit. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.

Në kushtet kur rrethanat se si ka ndodhur humbja e jetës së këtij shtetasi, bazuar në rrethanat e marra dijeni deri në këto momente personalisht dhe nëpërmjet medias, rezulton se ka dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të kryer nga personat përgjegjës për mirëmbajtjen, kontrollin dhe menaxhimin e situatës së krijuar për shkak të reshjeve të shiut, në qytetin e Durrësit.

Ka dyshime se nga personat e ngarkuar me funksione, të cilat kanë për detyrë menaxhimin e situatës janë kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetasve dhe personave juridikë dhe kanë sjellë edhe pasojat e rënda të evidentueshme dhe të matshme mbi të mirat pasurore si edhe në jetën e një personi i cili ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit.

Po kështu, bazuar në dëmet e konsiderueshme të evidentuara deri më tani që janë shkaktuar në infrastrukturën publike si dhe pronën privat, ekzistojnë dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale të “Shkatërrimit të pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga neni 153 dhe neni 161 i Kodit Penal.

Për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me përcaktimin e faktit dhe veprës penale, si dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale dhe të personit apo personeve që kanë kryer veprën është e domosdoshme kryerja e hetimeve të nevojshme të lidhura me ushtrimin e ndjekjes penale duke administruar të gjitha aktet e nevojshme dhe marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për ngjarjen me qëllim grumbullimin e të dhënave me interes për hetimin me qëllim që rezultatet e provave të paraqesin një rezultat të qartë dhe të bazuar në prova mbi ekzistencën e faktit penal dhe personave përgjegjës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat