Ka vijuar me tone të ashpra përplasja publike mes ish-ministrit të Financave Arben Malaj dhe ish-nënkryetarit të Kuvendit Myslym Murrizi, me replika të ndërsjella në rrjetet sociale që kanë kaluar në akuza të rënda personale.
Në një postim të gjatë, Malaj i ka kujtuar Murrizit një episod të vitit 1997, kur, sipas tij, e kishte shkarkuar nga posti i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Tatimeve. Malaj pretendon se në atë kohë Murrizi e kishte kërcënuar “me bandat e Fierit” pas vendimit për shkarkimin, duke e ofenduar dhe sulmuar me fjalor banal.
“Te prita në zyrë, sulmove me fjalorin më të poshtër të një nëpunësi shteti, më kërcënove me rrugaçët dhe të fortët e Fierit. Të thashë ‘pushka top’ dhe ike me bisht ndër shalë”, shkruan Malaj.
Ai shton se pavarësisht kërcënimeve, një javë më pas kishte ndërhyrë personalisht për të ndihmuar Murrizin që të siguronte një vizë urgjente, për shkak të një problemi shëndetësor të bashkëshortes së tij.
Malaj e akuzon Murrizin si “shpifës i zakonshëm” dhe “përfitues abuziv” të shumicës aktuale, duke i kujtuar edhe historinë e tij me një universitet privat që “u rrit e më pas u mbyll”. Ish-ministri e lidh gjithashtu Murrizin me periudhën e skemave piramidale dhe e pyet se “pse u bashkua sërish me partinë e piramidave”.
Përplasja e dy ish-politikanëve ka marrë përmasa gjithnjë e më të ashpra ditët e fundit, duke kaluar nga çështjet politike tek sulmet personale dhe akuzat për lidhje me bandat dhe përfitime financiare. Deri tani, Murrizi nuk ka reaguar ndaj versionit më të fundit të ngjarjeve që ka dhënë Malaj.