Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj, ka pohuar incidentin që ka ndodhur pranë zyrave të subjektit të tij politik dhe ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.
Në një bisedë telefonike për A2 CNN ish-kryebashkiaku i Mallakastrës ka pohuar se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson ka shkuar një mjet i pa loguar rreth orës 18:00 dhe prej andej ka ngritur një dron.
Ky veprim sipas tij është kryer dhe në një kohë të dytë dhe ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës.
“Kur ka shkuar roja i objektit për të kërkuar shpjegime se përse po ngrenë dronin nga parkimi i zyrave të tyre një prej agjentëve i ka thënë se ‘po kërkojnë të blejnë një pronë’, ndërsa më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda”, pretendon Kapllanaj.
Pas debatit agjentët janë larguar me mjetin e tyre dhe janë ndjekur nga disa zyrtarë të subjektit politik dhe dy të afërm të Agron Kapllanajt.
Më tej Kapllanaj sqaron se pak minuta më vonë kanë arritur që ti ndalojnë dhe aty ka nisur një përplasje e dytë mes agjentëve të BKH dhe njerëzve të Kapllanajt.
Por sipas këtij te fundit në asnjë moment nuk u është thënë që janë agjent të BKH. Siç pohoi ai të afërmve të tij u është nxjerrë dhe armë në formë kërcënimi dhe vetëm pas këtij momenti u është thënë që kanë të bëjnë me agjentë të BKH.
Në këtë moment kanë mbërritur edhe forcat e policisë dhe kanë ulur gjakrat, ku kanë bërë shoqërimin e dy nipërve të Kapllanajt dhe zyrtarit të subjektit politik.
Vetë Kapllanaj pohon se ndodhet në ambientet e policisë për të bërë kallëzim.