Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar ashpër mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama për bllokimin e procesit të përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke pretenduar se refuzimi i kandidatit të propozuar nga opozita vjen për arsye politike dhe ideologjike.
Në një deklaratë të mbajtur në Kuvend, Berisha tha se kryeministri, të cilin ai e etiketoi me pseudonimin “Ramaduro”, refuzon kandidatin e opozitës – z. Simon Mirakaj Ndregjoni – pasi ky i fundit i përket shtresës së të përndjekurve politikë gjatë komunizmit.
“Problemi i Avokatit të Popullit shtyhet prej një viti sepse ju nuk pranoni kandidaturën që vjen nga opozita, ndonëse ajo i plotëson të gjitha kriteret. Ky është një refuzim që ka lidhje me të kaluarën e kandidatit si i përndjekur politik,” tha Berisha.
Ai shtoi se kjo qasje përbën një zgjim të demonëve të sistemit të vjetër, duke aluduar për një kthim të mentalitetit përjashtues të diktaturës:
“Gazetarët më pyesin: a janë zgjuar demonët e sistemit të vjetër me Ramaduron? Po, janë zgjuar. Sepse ju refuzoni një përfaqësues të asaj shtrese që është simbol i vuajtjes dhe sakrificës për lirinë.”
Berisha kritikoi ashpër faktin që mazhoranca, sipas tij, po zvarrit procesin, duke e shtyrë edhe pas arritjes së një procesi të përbashkët përzgjedhjeje.
“Procesi ka kaluar të gjitha fazat. Erdhi në sallë. Dhe në momentin e fundit, ishit ju që kërkuat shtyrjen e votimit,” – tha ai, duke akuzuar maxhorancën për mashtrim të opinionit publik.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit është vonuar për më shumë se një vit, pavarësisht thirrjeve nga shoqëria civile, ndërkombëtarët dhe vetë opozita për të respektuar parimin e konsensusit. Kandidatura e propozuar nga opozita, Simon Ndregjoni, përfaqësues i njohur i të përndjekurve politikë, nuk ka marrë ende mbështetjen e shumicës, duke shkaktuar përplasje të vazhdueshme politike.