back to top
7.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetPërse Wisconsin është thelbësor në garën presidenciale të vitit 2024?

Përse Wisconsin është thelbësor në garën presidenciale të vitit 2024?

Wisconsin, një shtet në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara, që njihet për prodhimet e bulmetit dhe të birrës, është njëri prej shteteve përcaktuese në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Me një histori garash shumë të ngushta zgjedhore, 10 votat elektorale të shtetit Wisconsin mund të përcaktojnë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm.

Dy partitë kryesore po investojnë shumë në Wisconsin, të vetëdijshëm për rëndësinë e tij për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve. Ndërkohë që kandidatët po bëjnë ndalesa të shpeshta në këtë shtet, që nga qyteti i saj më i madh Miluaki e deri tek qytetet më të vogla, votuesit në Wisconsin e gjejnë veten në qendër të procesit demokratik të Amerikës.

Wisconsin është aktualisht njëri nga shtatë shtetet e pavendosura që mund të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Ky shtet, që gjendet në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara është i njohur për prodhimet e bulmetit dhe kulturën e konsumit të birrës, si dhe për gara tejet të ngushta zgjedhore.

Në dy zgjedhjet e fundit, ndryshimi mes fituesit dhe humbësit ka qënë më i vogël se 1 për qind. Profesori Barry Burden sqaron karakteristikat e këtij shteti.

“Ka diçka magjike në Wiskonsin, karakteristikat demografike të grupeve që favorizojnë dy partitë baraspeshojnë njëri-tjetrin. Kur demokratët për shembull fitojnë përkrahje nga një grup në rritje – si votuesit e zonave urbane në Madison – republikanët arrijnë përkrahje në nivele të barabarta përmes votuesve në zona rurale, apo atyre që jetojnë jashtë qendrave urbane”.

Por përkundër këtyre zgjedhjeve historikisht të ngushta, kandidatët demokratë kanë fituar në Wisconsin deri në vitin 2016.

“Viti 2016 ishte një tronditje e vërtetë për republikanët dhe për demokratët. Ishte befasi që një kandidat republikan fitoi në një shtet pas aq shumë ciklesh zgjedhore – qysh nga mesi i viteve ‘80-të. Hera e fundit kur një republikan kishte fituar në këtë shtet ishte në vitin 1984. Ky zhvillim i alarmoi të dyja partitë se diçka po ndodhte në këtë shtet. Për Trumpin, ishin votuesit në zona rurale dhe votuesit që jetojnë jashtë qyteteve të mëdha, të cilët e mbështetën dhe mendoj mungesa e vëmendjes nga kandidatja demokrate Hillary Clinton. Është fakt i njohur se ajo nuk e vizitoi këtë shtet”, thotë profesori Burden.

Presidenti Joe Biden e riktheu përkrahjen për demokratët në Wisconsin në zgjedhjet e vitit 2020.

Por kandidatja demokrate Kamala Harris nuk po ia lë rastësisë. Ajo e nisi fushatën e saj nga Miluaki.

Republikanët po ashtu organizuan kuvendin e tyre në Wisconsin.

Si edhe në shtete të tjera, çështja kryesore për votuesit në Wisconsin është ekonomia. Por është edhe një çështje tjetër që mund të jetë thelbësore.

“Aborti është bërë çështje kryesore, ndoshta më shumë se në pjesët tjera të vendit. Kur Gjykata e Lartë mori vendimin që shfuqizoi vendimin për mbrojtjen me Kushtetutë të abortit (Roe v. Wade), pati më shumë rëndësi në Wiskonsin se në shtetet e tjera, ngaqë deri në atë moment aborti kishte qenë i ligjshëm dhe po ofrohej në tërë shtetin. Por gjatë javës kur u shpall vendimi, klinikat që ofronin abortin si shërbim e ndërprenë atë dhe çështja e abortit po i largon disa gra, sidomos gratë e shkolluara, nga mbështetja për Partinë Republikane”, thotë zoti Burden.

Profesori Burden thotë se një grup i rëndësishëm që duhet vëzhguar është ai i afrikano-amerikanëve.

“Afrikano-amerikanët përbëjnë vetëm rreth 6 për qind të popullsisë në këtë shtet. Ata votojnë në shkallë më të ulët se votuesit e bardhë, por ata janë përkrahës të mëdhenj të demokratëve, edhe pse më pak këto vitet e fundit. Siç ishte edhe prirja në nivel kombëtar, votuesit afrikano-amerikanë kanë filluar paksa të migrojnë në drejtim të republikanëve, sidomos votuesit e rinj afrikano-amerikanë”.

Eksperti Burden thotë se në rezultatin e zgjedhjeve në shtetin Wisconsin ndikim mund të ketë edhe ndonjë kandidatët i tretë.

“Çfarëdo përqindje, sado e vogël që i shkon një kandidati të pavarur, apo një kandidati të një partie të vogël, mund të ketë rëndësi. Ekziston një traditë e kandidatëve të tillë, që dalin mirë në Wiskonsin. Jill Stein, kandidatja e Partisë së Gjelbër këtë vit, ishte gjithashtu kandidate në vitin 2016 dhe fitoi rreth 100,000 vota. Hillary Clinton humbi ndaj Donald Trump me një diferencë prej rreth 20 mijë votash. Pra, ekzistojnë prova që një kandidat mund të marrë aq vota, sa të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm”.

Sipas anketave, zgjedhjet në Wisconsin janë të paparashikueshme. Por, një gjë mund të parashikohet: pjesëmarrja e lartë në votime. Ky shtet zakonisht renditet në mesin e pesë shteteve në nivel kombëtar sa i përket pjesëmarrjes në votime.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat