Armand Braho
“Pikë uji”, i xhiruar në Pogradec gjatë viteve 2022-2023 është shfaqur në një premierë të veçantë, pikërisht në qytetin ku mori jetë.
Ai ka marrë vëmendjen e plotë të audiencës në sallën e kinemasë së Pogradecit, në një shfaqje, ku të pranishëm ishin dhe aktorët kryesorë të filmit, i cili është një një thriller emocional, që zbulon çmimin e vërtetë të pushtetit dhe dashurisë prindërore.
Për regjisorin Robert Budina, Pogradeci ishte qyteti më i veçantë për të xhiruar këtë film, pasi vetë banorët kanë qënë shumë bashkëpunues.
“Ishte një premierë më e fortë edhe se premiera që ka qenë në Tiranë dhe isha realisht shumë i emocionuar”, tha regjisori.
Qetësia dhe komoditeti në sheshin e xhirimit e bën Pogradecin të veçantë për producenteten Sabina Kodra, edhe pse në 23 vite, ka pasur mundësinë të xhirojë në pothuaj të gjithë vendin. Ajo nuk i fsheh emocionet, teksa filmi “Pikë uji”, sipas saj, u kthye përsëri në shtëpi.
“Është një qytet që ka shumë për të ofruar për kinemanë. Filmi e do Pogradecin dhe Pogradeci e do filmin”, u shpreh producentja.
Në dy premierat e mëdha të filmit, Klodiana Keço, aktorja në rolin e nënës së Borës, nuk mundi të ishte prezent, ndaj shfaqja e filmit në Pogradec, për të ishte ishte një emocion i jashtëzakonshëm, pas kthimit nga SHBA.
“Nuk pata mundësi të jem në premierë në Tiranë. Nuk pata mundësi të jem në premierën botërore në Varshavë, kështu që isha duke e vuajtur mospërfshirjen”, u shpreh aktorja.
Pjesë e filmit u be dhe gjimnazisti Henri Topi, të cilit iu besua roli i “Denisit”.
“Kjo është një derë e hapur për mua, një ndihmë shumë e madhe. Më ka hapur sytë, më ka bërë të kuptoj se si funksionon, pasi nuk e kam ditur”, tha i riu.
“Pikë Uji” me regji dhe skenar nga Robert Budina, Doruntina Basha dhe Ajola Daja është edhe filmi që është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar, në garën për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar në edicionin e 97-të të Academy Awards./Report Tv