Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat e forta ndaj qeverisë dhe drejtuesve të lartë, duke i lidhur heshtjet e disa prej tyre me presione mafioze që sipas tij drejtohen nga qelitë e burgut. Në një deklaratë publike, Berisha tha se personazhe si Lefter Koka dhe Erion Veliaj nuk guxojnë të flasin për Edi Ramën, pasi kërcënimet ndaj tyre janë të drejtpërdrejta.
“Hape gojën po deshe, e ka plumbin mas veshi ai. Ai pa atje që mund ta varrosnin të gjallë në bodrum. Po fole, e pëson,” – u shpreh Berisha.
Sipas tij, presioni i mafies politike dhe kriminale mbi ish-ministrin Lefter Koka lidhet edhe me dosjen “EcoPark” të Porto Romanos, për të cilën ai pritet të pyetet bashkë me Alqi Bllakon. Berisha akuzoi se nga qelia është Elvis Doçi ai që “ua përcakton kushtet” për të heshtur.
“E njëjta gjë është me Erion Veliajn. Ai nuk flet dot. Ata i mbajnë të shkurtër, të prerë. Nuk mund të japin deklarata të lira, nuk guxojnë të hapin gojën kundër Ramës,” – tha ish-kryeministri.
Berisha e quajti heshtjen e Shimas pas ngjarjes së fundit një shembull tipik të presionit mafioz, duke shtuar se nëse do të ishte i lirë, ai do të kishte falënderuar mediat për ndjekjen e rastit të tij dhe publikimin e mesazhit SOS.