Mazhoranca socialiste ka dorëzuar në Parlament një paketë ndryshimesh ligjore për reformën në drejtësi, me amendamente që mbajnë firmën e deputetit Olsi Komici. Propozimet prekin dy ligje kryesore: “Për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve” dhe “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Ndryshimet kanë për qëllim të forcojnë filtrat dhe kriteret e zgjedhjes për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), sidomos për kandidatët që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, si avokatia, shoqëria civile dhe bota akademike.
Sipas amendamenteve, pasuria dhe pastërtia e figurës së kandidatëve do të kontrollohet më gjerësisht nga Avokati i Popullit, duke përfshirë të dhëna nga tatimet, prokuroritë dhe institucione të tjera relevante.
Po ashtu, amendamentet parashikojnë që Prokurori i Përgjithshëm të ketë një rol vendimtar, duke dhënë mendimin e tij të detyrueshëm për KLP-në gjatë zgjedhjes së drejtuesve të prokurorive.
Masat disiplinore dhe periudha kalimtare
Nisma parashikon gjithashtu që asnjë gjyqtar apo prokuror që ka marrë masë disiplinore të mos mund të emërohet në krye të gjykatave apo prokurorive përkatëse.
Përmes një dispozite kalimtare, deri në përfundimin e procesit të zgjedhjes së drejtuesve të rinj, kryetarët aktualë që nuk kanë një emërim të rregullt do të konsiderohen të zgjedhur me ligj deri më 31 dhjetor 2028.
Mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë
Në relacionin e tij, deputeti Olsi Komici shprehet se përmbajtja e ndryshimeve bazohet në propozimet e institucioneve të drejtësisë dhe ka marrë pëlqimin e misionit të Bashkimit Europian dhe misionit amerikan OPDAT.
Ndryshimet synojnë rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në zgjedhjen e drejtuesve të sistemit të drejtësisë dhe përforcojnë mekanizmat e kontrollit mbi kandidatët, duke synuar një sistem më të besueshëm dhe të drejtë.



