Ish kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, e konsideron një teatër të kryedemokratit Sali Berisha, procesin e primareve që do të zhvillohet, për të nxjerrë kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Kadilli u shpreh se ky proces do të dëmtojë strukturat e partisë. Kadilli shtoi se Partia Demokratike është në ditën e saj më të keqe që nga themelimi.
“Për mua është shpenzim energjish, jo i plotë, jo i vërtetë. Procesi duhet bërë si duhet, ose të mos bëhet fare. Janë angazhuar edhe kryetarët e degëve, të japin dorëheqjen ose nuk kandidojnë, strukturat po dëmtohen. E gjitha është sa për t’i shërbyer respekit formal të statutit.
Shumë njerëz e mendojnë si teknikalitet statutor. Besoj se Berisha nuk e ka akoma luksin të mbajë inat, nuk e ka harruar inatin. I intereson që gjithkush që kthehet, i duhet akoma. Partinë po e përdor për interesa personale dhe politike. Berisha nuk është zgjidhje, është e shkuara, jo e ardhmja. Partia Demokratike është në ditën e saj më të keqe që nga themelimi.
Nuk ka asnjë ofertë, ka dalë nga misioni i saj, për fat të keq. Berisha do t’i fusë në garë, për t’i poshtëruar me votën e anëtarësisë, për t’u thënë që unë iu mbaj. Këta njerëz kanë dalë nga misioni i opozitës. Çfarë alternative kanë këta? Lidhen me ata që iu jep sadopak pushtet. Shqiptarët nuk e votojnë, sepse nuk e shohin Partinë Demokratike si alternativë”, theksoi ai.