Në një seancë maratonë që zgjati rreth 17 orë dhe u mbyll në orët e para të mëngjesit të së enjtes, rreth orës 03:00, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim projektbuxhetin 2026 dhe të gjithë paketën fiskale për vitin e ardhshëm, e përbërë nga tetë projektligje të rëndësishme për politikat tatimore dhe financat publike.
Projektbuxheti, me një vlerë totale prej 8.8 miliardë euro, mori 83 vota pro nga shumica socialiste, ndërsa 32 deputetë të opozitës votuan kundër.
Mungesa nga radhët e PS-së në tre projektligje fiskale
Gjatë procesit të votimit, dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, nuk morën pjesë në votimin e tre projektligjeve të paketës fiskale:
Erion Braçe
Nuk votoi projektligjin:
“Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, ‘Për sistemin e taksave vendore’”.
Rezultati: 82 pro, 32 kundër.
Vullnet Sinaj
Nuk votoi për dy projektligje:
“Për marrëveshjen e paqes fiskale” — 82 pro, 32 kundër
“Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore dhe doganave” — 82 pro, 30 kundër

Projektligjet e miratuara me 83 vota pro dhe 32 kundër
Me të njëjtën shumicë votash (83 pro, 32 kundër), Kuvendi miratoi:
Ndryshimet në ligjin “Për TVSH-në”
Ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”
Shtesa në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”
Ndryshimet në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”
Projektligjin “Për marrëveshjen e paqes fiskale”
Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”
Projektligjet e tjera të miratuara
Me 83 vota pro dhe 31 kundër:
Ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”
Me 82 vota pro dhe 30 kundër:
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore dhe doganave”
Shifrat kryesore të projektbuxhetit 2026
Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një total prej 886 miliardë lekësh, që do të shpërndahen për sektorët kryesorë të shërbimit publik:
shëndetësi, arsim, paga, pensione, bujqësi, mbështetje sociale, infrastrukturë, transport rrugor, drejtësi dhe siguri, përfshirë detyrimet ndaj NATO-s.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Kuvend, Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi:
“Të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në 823.1 miliardë lekë, ose 29.6% të PBB-së, me një rritje prej 52.9 miliardë lekësh nga viti 2025. Shpenzimet buxhetore parashikohen në 886.8 miliardë lekë, ose 31.9% të PBB-së, rritje prej 55 miliardë lekësh.”
Sipas ministrit, rritja e shpenzimeve korrespondon me rreth 550 milionë euro më shumë krahasuar me një vit më parë.



