back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 10 Prill, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaBie Vetingu/ Prokurori i shkarkuar merr drejtimin e Hetimit Doganor

Bie Vetingu/ Prokurori i shkarkuar merr drejtimin e Hetimit Doganor

Emërimi i ish-prokurorit të Tiranës, Elio Mazreku, në krye të Hetimit Doganor ka rikthyer në vëmendje debatet mbi rikthimin në administratë të zyrtarëve të shkarkuar nga procesi i vettingut.

Mazreku, i cili për më shumë se 20 vite ushtroi detyrën e prokurorit në Tiranë, është larguar nga sistemi i drejtësisë në nëntor të vitit 2023, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij për probleme që lidhen kryesisht me kriterin e pasurisë.

Sipas vendimit të trupës së vettingut, ai rezultonte me një bilanc negativ prej dhjetëra milionë lekësh, ndërsa nuk kishte arritur të justifikonte burimin e disa të ardhurave të përdorura ndër vite. Në fokus të analizës financiare ishte edhe blerja e një apartamenti në Tiranë, për të cilin, sipas KPK-së, mungonin prova të mjaftueshme për ligjshmërinë e burimeve financiare.

Gjithashtu, në raport përmendeshin edhe shuma të konsiderueshme të deklaruara si ndihmë familjare dhe dhurata, të cilat, sipas Komisionit, nuk ishin të dokumentuara në mënyrë bindëse.

Megjithatë, vetë Mazreku i ka kundërshtuar këto konkluzione, duke pretenduar se të ardhurat kanë qenë të ligjshme dhe të lidhura kryesisht me aktivitetin profesional të bashkëshortes së tij, si dhe duke theksuar se mënyra e kryerjes së pagesave nuk ka qenë gjithmonë nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë.

Pavarësisht këtij precedenti, ai është emëruar tashmë në një post drejtues në administratën publike, në krye të Hetimit Doganor, një strukturë e rëndësishme në luftën kundër evazionit dhe shkeljeve në fushën e doganave.

Ky zhvillim pritet të ngjallë diskutime mbi standardet e emërimeve në institucionet shtetërore dhe raportin mes procesit të vettingut dhe angazhimit të mëtejshëm të ish-zyrtarëve të drejtësisë në poste publike.

Rikthimi i një figure të shkarkuar nga sistemi i drejtësisë në një funksion të lartë administrativ mund të rihapë debatin mbi efektivitetin dhe qëllimin e reformës në drejtësi, si dhe mbi kufijtë ligjorë të përfshirjes së këtyre individëve në struktura të tjera të shtetit.

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat