Edmond Hoxhaj
Prokurori i Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lazër Çardaku u përball të enjten më 7 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për gjetjet në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, për të cilat pretendoi se kishte kundërshtuar barrat e provës dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Procesi i vetingut për prokurorin Çardaku po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm, Francesco Ciardi.
Lazër Çardaku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Pukës dhe në 1999-ën është emëruar si prokuror në Shkodër. Ai ka drejtuar Prokurorinë e Matit në vitet 2008-2012 dhe më pas e ka ushtruar funksionin si prokuror i shkallës së parë dhe i Apelit.
Gjetjet për pasurinë
Subjekti ka deklaruar një apartament të blerë në Shkodër në vitin 1999 për shumën 200 mijë lekë, të rivlerësuar sipas ligjit në vlerën 4 milionë lekë. Në vitin 2003 ka deklaruar se vlera e pasurisë është në shumën 2.4 milionë lekë dhe në 2004-ën vlerën 2 milion lekë.
Çardaku ka deklaruar se bashkë me apartamentin, në ’99-ën ka blerë dhe një shtesë ngjitur me banesën, që më pas është legalizuar.
Subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se vlerën 2.4 milionë lekë në vitin 2003 e ka deklaruar bazuar në çmimet e tregut.
Relatorja Qirko konstatoi se nisur nga mospërputhjet dhe çmimi i tregut në kohën kur është blerë apartamenti në Shkodër, duket se shuma monetare 200 mijë lekë e paguar për këtë pasuri, nuk ka qenë vlera reale e banesës. Sipas tregut, vlera e apartamentit në vitin 1999, është përllogaritur në shumën 1.7 milionë lekë.
Nga analiza finanicare e kryer për këtë pasuri në momentin e blerjes, është konstatuar pamundësi në shumën 1.9 milionë lekë, bilanc që është kundërshtuar nga subjekti.
Në vijim, Qirko relatoi gjetjet për një apartament të blerë nga subjekti në Oblik të Shkodrës në vitin 1994, që më vonë është shitur. Sipas Komisionit, kjo pasuri nuk është deklaruar nga Çardaku. Subjekti ka deklaruar se e ka blerë për shumën 200 mijë lekë dhe ka shitur për të njëjtin çmim.
Megjithëse ai ka pretenduar se këtë pasuri e ka blerë nga Enti Banesave dhe e ka shlyer shumën 200 mijë lekë për disa vjet, Komisioni i është referuar kontratës së blerjes duke e konsideruar kryerjen e pagesës në vitin 1994. Për rrjedhojë, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 130 mijë lekë për blerjen e apartamentit në Oblik në ’94-ën.
Relatorja Qirko tha se nga analiza financiare e përgjithshme paraprake e kryer në Komision për gjithë periudhën e rivlerësimit, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 1.3 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve dhe krijimin e pasurive.
Prokurori Çardaku e cilësoi vetingun gjatë seancës dëgjimore si provimin më të vështirë të jetës profesionale, që sipas tij ka filluar 42 vjet më parë, nga të cilat 32 vjet në sistemin e drejtësisë.
Ai këmbënguli se çmimi i apartamentit të blerë në vitin 1999 kishte qenë 200 mijë lekë dhe jo 2.4 milionë lekë sa e kishte shënuar vlerën e kësaj pasurie në vitin 2003. Subjekti tha se e kishe hamendësuar atë vlerë, duke sjellë si argument dhe faktin se kur kishte kërkuar një kredi në bankë, vlera e banesës ishte përcaktuar e përafërt me atë të shënuar prej tij. “Po të kisha pasur në vitin 1999 shumën monetare 2.4 milionë lekë do kisha blerë apartamentin më të mirë në Shkodër”, deklaroi subjekti duke shpjeguar se banesa që ai ka blerë atëherë është në një pallat parafabrikat të papërfunduar, që gjendet në periferinë e qytetit, pranë stacionit të trenit. Çardaku kërkoi që vlera e blerjes së apartamentit të konsiderohet në shumën 200 mijë lekë.
Edhe pas pyetjeve të relatores Qirko lidhur me këtë pasuri, subjekti i qëndroi versionit të tij, duke theksuar se për blerjen e apartamentit në Shkodër kishte përdorur shumën e përfituar nga shitja e banesës në Oblik.
Lidhur me apartamentin e blerë në Oblik, Çardaku këmbënguli se nuk e kishte paguar gjithë shumën prej 200 mijë lekësh në vitin 1994, por e kishte shlyer pjesë-pjesë në vite. Ai deklaroi se po të kishte pasur mundësi në 94-ën, nuk do kishte shkuar nga fshati në fshat, por do kishte blerë apartament në Shkodër.
Sipas ubjektit, nëse vlera e blerjes së shtëpisë në Shkodër vitin 1999, do të konsiderohet në masën prej 200 mijë lekësh, atëherë përmbyset bilanci negativ.
Në vijim, Qirko parashtroi gjetje të tjera. Për një automjet të blerë nga djali i subjektit në vitin 2013 për shumën 4000 euro, Komisioni ka gjetur pamundësi financiare në masën 330 mijë lekë. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se djali i subjektit e ka shitur këtë mjet në vitin 2016, ndëkrohë që sipas policiave të sigurimit ka rezultuar përdorues për periudhën 2016-2022. Bazuar po në policat e sigurimit, ka rezultuar si përdorues edhe vetë subjekti për periudhën 2016-2018. Sipas Qirkos, në policat e sigurimit nuk figuronte emri i pronarit të ri të mjetit.
Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, ka rezultuar se blerësi ka kryer vetëm një udhëtim me këtë automjet jashtë shtetit, nën shoqërinë e djalit të subjektit. Ndërsa në udhëtimet e tjera ka përdorur mjete të tjera.
Qirko tha se nuk është pasqyruar në deklaratën veting përdorimi i këtij automjeti.
Lidhur me pamundësinë e konstatuar për mjetin, subjekti deklaroi se kishte marrë një hua 300 mijë lekë që e kishte shlyer brenda vitit dhe prandaj nuk e kishte deklaruar këtë huamarrje.
Për përdorimin e kësaj makine, subjekti deklaroi se djali ka qenë shok me blerësin. Sipas tij, blerësi është futbollist dhe luan në një shtet të huaj dhe mjetin e kishte marrë për prindërit, të cilët kishin probleme shëndetësore. Çardaku tha se djali e ka përdorur makinën një ose dy ditë dhe nuk mund të ketë fshehje.
Komisioni ngre dyshime se subjekti mund të ketë fshehur një automjet në emër të shtetasit K.T.. Sipas Qirkos, nga verifikimi policave të sigurimit, subjekti rezulton përdorues i kësaj makine për vitet 2023-2025. Në vitin 2023, është konstatuar se mjeti është përdorur nga subjekti dhe i biri për udhëtim jashtë shtetit.
Nisur dhe nga fakti se u është dhënë e drejta për përdorimin e mjetit menjëherë pas blerjes nga pronari, janë ngritur dyshimet për fshehje të kësaj pasurie.
Çardaku deklaroi se nuk ka pasur asnjë njohje me pronarin e këtij mjeti dhe se e kishte përdorur vetëm për arsye se donte ta blinte dhe duhej të kontrollonte gjendjen e makinës. Sipas subjektit, nuk ka pasur arsye ta mbante e të mos e raportonte këtë automjet.
Për blerjen e një automjeti tjetër është konstatuar pamundësi në shumën 64 mijë lekë.
Në adresën e Komisionit kanë mbërritur tre denoncime kundër prokurorit Çardaku, në të cilët është pretenduar se ai ka pasuri të fshehura. Në denoncime është pretenduar se ai ka një apartament të fshehur në fshatin Velipojë në një ndërtim të kryer nga ish-kryetari asaj komune, i cili ka ndërruar jetë. Qirko relatoi ndër të tjera, se është pyetur mirëmbajtësi i objektit, kunati i të ndjerit, i cili ka thënë se nga 120 apartamente, 40 administrohen nga familjarët e ndërtuesit P.U.. Në listën e pronarëve të apartamenteve, nuk ka rezultuar të jetë emri i subjektit.
Po ashtu, mirëmbajtësi ka shpjeguar se subjekti ka qendror në hotel, por se nuk ka apartament aty.
Qirko tha se prej të gjitha të dhënave të administruara nga hetimi, ka dyshime se subjekti ka përdorur ose poseduar një apartament në objektin e ndërtuar në Velipojë.
Çardaku e cilësoi të thelluar dhe ezaurues hetimin e Komisionit për dyshimet e ngritura në denoncime për fshehjen e një apartamenti në bregdet. Ai solli në vëmendje se dëshmitari ka thënë se, në mënyrë kategorike nuk ka apartament në Velipojë.
Duke e cilësuar hetimin si të bazuar në dy letra anonime, subjekti sqaroi se në një apartament ka qëndruar një vit 8 ditë, një vit tjetër për 10 ditë e një javë në vitin e pasues.
Ai tha se, nëse do kishte pasur mundësi financiare do kishte blerë një apartament në Shkodër, pasi ai që zotëron prej vitit 1999, gjendet në pallat parafabrikat dhe ka lagështirë. Subjekti u shpreh se gjithçka është e manipuluar me qëllim që t’i prishin imazhin, pasi nuk kanë ku ta kapin.
Kur Qirko e pyeti se përse nuk e kishte deklaruar përdorimin e apartamentit, subjekti tha se nuk kishte pasur detyrimin ligjor të deklaronte kur flinte një natë në hotel. Ai shtoi se në atë banesë kishin fjetur të tjerë para tij dhe se për këtë arsye u kishte kërkuar poseduesve që të ndërronin çarçafët.
Në përfundim të mbrojtjes së tij për gjetjet në kriterin e pasurisë, subjekti kërkoi që në rast të mos marrjes në konsideratë të shpjegimeve dhe provave të paraqitura prej tij, atëherë bilanci negativ total në masën 1.3 milionë lekë të vlerësohet nën dritën e parimeve të objektivitetit dhe proporcionalitetit. Sipas
Çardakut, kjo pamundësi financiare nuk mund të sjellë penalizim.
Figura dhe profesionalizmi
Megjithëse Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka raportuar se ka të dhëna për përfshirje të mundshme të subjektit në veprimtari të kundërligjshme, i ka kërkuar Komisionit që të dali në një konkluzion përfundimtar për pastërtinë e figurës për prokurorin Lazër Çardaku.
Qirko shpjegoi se u administruan disa dosje që u vlerësuan në drejtim të profesionalizmit. Sipas realtores, nga verifikimi këtyre çështjeve nuk janë gjetur prova lidhur me dyshimet e ngritura prej institucioneve ligjzbatuese.
Në seancë, nuk u bë me dije ndonjë konstatim paraprak përsa i përket figurës.
Lidhur me aspektin profesional, u relatuan gjetjet për tre denoncime nga publiku, në një rast është pretenduar se subjekti nuk ka njoftuzar viktimën për vendimin e pushimit të çështjes.
Subjekti deklaroi në seancë se denoncuesi ka gënjyer, pasi është njohur me aktet dhe ka kryer ankim ndaj vendimarrjes së tij.
Në një rast tjetër, Çardakut i janë kërkuar shpjegime për mos ushtrimin e rekursit nga ana e tij. Lidhur me këtë gjetje subjekti pretendoi se veprimet i kishte kryer bazuar në Kodin e Procedurës Penale dhe tha se kishte vlerësuar se nuk kishte shkaqe për të bërë rekurs.
Në përfundim, prokurori Lazër Çardaku kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të premten më datë 8 nëntor, në orën 10:10./BIRN