back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 31 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaSkandal me ndërtimet pa leje/ Prokuroria pezullon zyrtarët e IMT-së

Skandal me ndërtimet pa leje/ Prokuroria pezullon zyrtarët e IMT-së

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka kërkuar caktimin e masave të sigurimit për dy zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Sipas njoftimit zyrtar, ndaj shtetasve E.P. dhe Rigers Sheqeri, përkatësisht jurist dhe kryeinspektor pranë IMT-së së Bashkisë Tiranë, është caktuar masa e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Ata dyshohen se në bashkëpunim kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos marrë masat e duhura administrative ndaj një rasti ndërtimi pa leje.

Ndërkohë, për shtetasin P.C., administrator i shoqërisë “EUROCOL” sh.p.k., i dyshuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, Prokuroria ka kërkuar masat “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe detyrim për paraqitje pranë policisë gjyqësore.

Hetimet lidhen me procedimin penal nr. 337/2026, të nisur pas kallëzimit të bërë nga shtetasi A.A., administrator i shoqërisë “AL OIL 2019” sh.p.k. Ky i fundit ka pretenduar se në pronën e shoqërisë së tij janë kryer punime ndërtimi pa leje, duke shkaktuar dëmtime.

Nga verifikimet ka rezultuar se në zonën e Njësisë Administrative Farkë janë kryer punime ndërtimore për të cilat kërkohej leje ndërtimi, ndërsa subjekti “EUROCOL” sh.p.k. nuk dispononte një të tillë. Megjithatë, pavarësisht konstatimit fillestar të shkeljes nga inspektorët e IMT-së dhe hartimit të procesverbalit përkatës, procedura është mbyllur më pas nga kryeinspektori R.Sh., bazuar edhe në relacionin e juristit E.P., pa u marrë asnjë masë administrative ndaj subjektit.

Sipas Prokurorisë, ky vendim bie në kundërshtim me ligjin për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme, i cili parashikon masa të detyrueshme si pezullimi i punimeve, vendosja e gjobës dhe prishja e ndërtimit.

Nga hetimet dhe aktet e ekspertimit teknik rezulton gjithashtu se administratori i “EUROCOL” sh.p.k. ka realizuar ndërtimin e një strukture mur-betonarme pa leje ndërtimi. Edhe pse subjekti kishte një leje për ndërhyrje në infrastrukturë dhe vendosje barrierash ndaj zhurmave, kjo leje nuk mbulonte ndërtimin e objekteve që kërkojnë leje ndërtimi, duke e bërë ndërhyrjen të paligjshme.

Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive në këtë rast.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat