Pronarët e apartamenteve dhe shtëpive private që kishin nxjerrë pronat në shitje muajt e fundit janë tërhequr përkohësisht nga tregu, duke pritur procesin e rivlerësimit me tatim 5% të pasurive të paluajtshme, pjesë e paketës fiskale të Ministrisë së Financave që pritet të zbatohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Sipas Ervin Demirxhiut, agjent imobiliar, shumica e pronave për rishitje janë pezulluar dhe vetëm një numër i vogël transaksionesh po kryhen, kryesisht nga ata që kanë ndonjë nevojë të menjëhershme për shitje.
“Momentalisht një pjesë e madhe e apartamenteve që janë për rishitje po presin procesin e rivlerësimit dhe nuk po shiten. Vetëm një numër i vogël po kryejnë transaksione, kryesisht ata që janë të detyruar. Ne kemi kthyer disa kaparre, sepse shitësit janë tërhequr nga marrëveshjet,” – tha Demirxhiu.
Gjatë diskutimeve për hartimin e skemës, agjentët imobiliarë kishin sugjeruar një normë më të ulët, 2–3%, por megjithatë, norma prej 5% konsiderohet një zgjidhje që do të ndihmojë në zhbllokimin e tregut, duke ulur diferencën tatimore në mënyrë të konsiderueshme krahasuar me normën aktuale prej 15%.
“5% nuk është vlera më e mirë e mundshme, por është shumë më mirë se 15%. Sigurisht që një normë më e ulët do kishte një impakt më pozitiv për qytetarët, por edhe kjo është e pranueshme,” – shton Demirxhiu.
Procesi i rivlerësimit pritet të prekë kryesisht pallatet e vjetra, ku vlera aktuale e tregut është shumë më e lartë se ajo e regjistruar më parë.
“Mbi 90% e pronave të vjetra do të preken. Kushdo që ka blerë një apartament 10 vite më parë me 100 mijë euro, sot mund të vlejë 250 mijë euro. Kjo krijon një diferencë tatimore prej 150 mijë euro, e cila do të tatohet me një normë tre herë më të ulët se zakonisht,” – shpjegon Demirxhiu.
Sipas Ministrisë së Financave, rreth 168 mijë pasuri të paluajtshme iu nënshtruan për herë të fundit rivlerësimit me normë 15%. Me uljen në 5%, pritet një numër shumë më i madh aplikimesh dhe një ndikim më i gjerë në tregun e pasurive të paluajtshme.



