Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje deputetëve dhe qytetarëve që të përqendrohen maksimalisht në organizimin e protestës së datës 10 shkurt, duke e cilësuar atë si “rrugën e vetme” për të dhënë përgjigje ndaj abuzimeve të qeverisë.
Në një mesazh të dhënë ditët e fundit, Berisha ka rikthyer vëmendjen tek dosja e AKSHI-t, të cilën e ka cilësuar si “dosja më e paparë ndonjëherë në historinë e Europës”. Ai theksoi se sipas tij, kryesori në këtë skandal është kryeministri Edi Rama, ndërsa dosja lidhet ngushtë me familjarë dhe persona të afërt të tij.
“Mirlinda e AKSHI-t është prezantuar si një presanome e Lindës së Surrelit, sepse i gjithë krimi i kësaj agjencie shtetërore ka si strumbullar baxhanakun e Edi Ramës, kunatin e Lindës”, deklaroi Berisha, duke akuzuar punonjës të agjencisë për fshehje dhe shkatërrim dokumentesh. Ai shtoi se drejtësia aktuale nuk ka ndërmarrë veprime dhe se vetëm guximi dhe fjala e qytetarëve mund të japë përgjigje.
Berisha theksoi rëndësinë e mobilizimit dhe pjesëmarrjes aktive në protestën e 10 shkurtit.
“Koha është e qytetarëve. Përparësi absolute për çdo orë të ditës suaj ka takimi me qytetarët dhe organizimi sa më i fuqishëm i protestës së datës 10. Llojshmëria e saj kuptohet që është rruga e vetme”, tha ai.



