Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se data e protestës opozitare ende nuk është përcaktuar, por ka mundësi që ajo të zhvillohet para 20 shkurtit.
“Do të përcaktohet, por ka mundësi para datës. Sot fillojnë konsultimet. Do të ketë njoftim zyrtar, por pa diskutim do të ketë protestë”, tha Berisha, duke theksuar se strategjia e opozitës mbetet protesta.
Ai nënvizoi gjithashtu se të gjitha partitë opozitare do të ftohen për një tryezë të përbashkët. “Ne mendojmë se është koha për të krijuar një front të gjerë opozitar, në mënyrë që forcat politike opozitare të bashkërendojnë përpjekjet dhe të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe për të dhënë goditjen përfundimtare narko-regjimit të Edi Ramës. Janë të ftuara pa përjashtim të gjitha partitë opozitare”, theksoi Berisha.
Kjo është një prej iniciativave kryesore të opozitës për të koordinuar veprimet e saj politike dhe për të mobilizuar mbështetësit para protestës së paralajmëruar.



