back to top
15.5 C
Tirana
E diel, 21 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetImuniteti i Ballukut/ PS kujton rastin Basha

Imuniteti i Ballukut/ PS kujton rastin Basha

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin zhvilloi sot një mbledhje maratonë, e cila zgjati për disa orë dhe u shoqërua me debate të zgjeruara, lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes dhe zv/kryeministres Belinda Balluku.

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të mos dalë ende me një përfundim përfundimtar, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e çështjes. Anëtarët e Këshillit u ndalën kryesisht te aspektet procedurale, precedenti parlamentar dhe nevoja për një vlerësim të kujdesshëm të kërkesës, duke theksuar se një vendimmarrje e tillë nuk duhet të merret në mënyrë të nxituar.

Gjatë mbledhjes u argumentua se çështje me ndjeshmëri të lartë politike dhe institucionale kërkojnë një analizë të plotë, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe standardet parlamentare, për të shmangur çdo shkelje procedurale.

Në diskutime ndërhyri edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili solli në vëmendje precedentë të mëparshëm të Kuvendit. Balla kujtoi se Këshilli i Mandateve ka pasur raste kur ka marrë deri në 75 ditë kohë për shqyrtimin e kërkesave të ngjashme, duke përmendur konkretisht rastin e ish-ministrit Lulzim Basha në lidhje me çështjen e rrugës Durrës–Kukës.

Sipas Ballës, kërkesa në atë rast kishte mbërritur në Kuvend më 15 tetor 2007 dhe u votua në seancë plenare vetëm më 27 dhjetor 2007, duke treguar se procedurat e zgjatura kanë qenë pjesë e praktikës parlamentare edhe më parë.

Këshilli pritet të caktojë një tjetër mbledhje në ditët në vijim, ku do të vijojë shqyrtimi i kërkesës për imunitetin e Belinda Ballukut, ndërsa ende nuk ka një afat zyrtar për marrjen e vendimit përfundimtar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat