Qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj të ri që vendos një filtrim dhe kontroll të rreptë mbi donacionet dhe sponsorizimet në vend. Ligji bën dallimin e qartë mes dy koncepteve: donacioni shihet si mbështetje vullnetare dhe pa përfitim, ndërsa sponsorizimi përkufizohet si marrëdhënie kontraktuale ku sponsorizuesi përfiton të drejtën e promovimit dhe reklamimit.
Një nga risitë kryesore e këtij drafti është krijimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar për Donacionet dhe Sponsorizimet, i cili do të jetë i aksesueshëm nga publiku për donacionet dhe sponsorizimet e organeve publike përmes faqes zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Për sponsorizimet e organizatave jofitimprurëse dhe subjekteve private, informacioni do të jetë i disponueshëm vetëm për organet ligjzbatuese dhe tatimore.
Projektligji parashikon që çdo donacion mbi 500.000 lekë për organet publike, si dhe të gjitha sponsorizimet, duhet të regjistrohen në këtë regjistër. Po ashtu, personat e dënuar për korrupsion, pastrim parash apo evazion fiskal do të përjashtohen nga dhënia e donacioneve.
Të gjitha donacionet dhe sponsorizimet do të jenë nën kontroll financiar, ndërsa shkeljet do të gjobiten me vlera që variojnë nga 200.000 deri në 300.000 lekë.



