Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut në disa zona të vendit.
Gjatë mbledhjes, Rama deklaroi se qeveria ka rritur investimet për emergjencat civile, duke njoftuar një fond prej 11 milionë eurosh, ose 8 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Sipas tij, këto investime kanë mundësuar rindërtimin e 536 kanaleve ujitëse dhe të kullimit, të cilat më parë ishin të amortizuara ose funksiononin pjesërisht.
Kryeministri theksoi se një nga investimet kryesore ka qenë transformimi i trupave të emergjencave civile, duke i cilësuar ato tashmë si struktura funksionale dhe të gatshme për reagim.
“Reshjet e pazakonta ranë në të gjithë rajonin, por sot Shqipëria është krejt tjetër,” u shpreh Rama, duke shtuar se vendi ka përballuar situata të ngjashme me më shumë dinjitet institucional krahasuar me të shkuarën.
Rama siguroi qytetarët e prekur nga përmbytjet se qeveria do të qëndrojë pranë tyre për dëmet në banesa dhe për humbjet në gjënë e gjallë. Ai theksoi se puna intensive dhe mobilizimi 24-orësh i strukturave shtetërore dhe bashkive do të vijojë pa ndërprerje deri në kapërcimin e plotë të situatës.
Në përfundim, kryeministri u bëri thirrje deputetëve që të angazhohen drejtpërdrejt pranë qytetarëve të prekur, jo vetëm gjatë emergjencës, por edhe pas kalimit të momentit më të vështirë.



