Kryeministri Edi Rama komentoi sot rastin e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, gjatë konferencës për shtyp të përbashkët me Komisioneren e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos.
Rama theksoi se hapja e kapitujve të anëtarësimit në Bashkimin Europian është rezultat i përpjekjeve serioze të Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. “Padiskutim që sot edhe fakti që mund të bëhen pyetje me këtë përmbajtje lidhet me një epokë të re ku kemi hyrë dhe në këtë epokë të re Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse me mua në krye,” u shpreh ai.
Kryeministri u ndal më pas te tre pikat kyçe në lidhje me rastin Balluku:
Pavarësia e gjyqësorit
“Pavarësia e gjyqësorit nuk është as slogan, as manovër politike, as eksperiment i përkohshëm. Është një shkëputje historike nga e kaluara, e realizuar vetëm në vitet e fundit, dhe ka sjellë risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë. Kjo ka ndërprerë kulturën 100-vjeçare të pandëshkueshmërisë, por njëkohësisht ka shfaqur dobësi të natyrshme të një pushteti të ri, fëminor për nga mosha dhe me reflekse të vjetra antidemokratike,” theksoi Rama.
Mbrojtja e sistemit te drejtësise
Rama nënvizoi se përtej kostove të larta që mund të ketë për vendin, mbrojtja e pavarësisë së gjyqësorit mbetet parakusht për çdo qëndrim të qeverisë. “Kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pistë,” tha kryeministri, duke nënkuptuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të sistemit.
Pezullimi i Ballukut dhe funksionimi i qeverisë
Kryeministri e interpretoi pezullimin e ministres si një reflektim i sfidave të pushtetit të ri dhe reflekseve antidemokratike që ende ndodhen në sistem. Ai garantoi se pezullimi nuk do të ndikojë në drejtimin dhe funksionimin e qeverisë.
Deklaratat e Ramës u bënë në një konferencë ku u diskutuan edhe progresi i reformave dhe procesi i integrimit europian, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.



