Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot takimin e tij virtual me qytetarët, duke u përgjigjur pyetjeve dhe komenteve në rrjetet sociale, në kuadër të serisë “Sy m’sy”. Gjatë diskutimit, Rama ka theksuar rëndësinë e marrjes së pasaportës europiane, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë.
Rama theksoi se pasaporta europiane do të ofrojë mundësi për punësim dhe shërbime shëndetësore në çdo vend të BE-së, si dhe ftoi qytetarët të mbështesin qeverinë në zgjedhjet e 11 majit që sipas tij, janë të rëndësishme për finalizimin e negociatave për integrimin në BE deri në vitin 2027.
“Marrja e pasaportës europiane, të gjithë duhet ta kemi parasysh është shumë më tepër se lëvizje e lirë. Sot kemi pasaportë që na lë mundësi të lëvizim por jo të ndalojmë. Pa hyrë mirë akoma na pyesin në aeroport kur do të ikësh.
Jemi qytetarë të dorës së dytë. Pasaporta europiane na bën qytetarë të dorës së parë sepse nuk ka më kufi dhe nuk hyjmë më në radhë. Mund të kërkojmë punë ku të duam dhe nëse kemi një shërbim shëndetësor mund ta marrim njëlloj si qytetarët e atij vendi ku shkojmë. Nëse bëhemi bashkë më 11 maj, në 2027 janë në fund negociatat. Duhet të marrim një mandat të fuqishëm më 11 maj”, tha ai.