Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Gjatë një konference për mediat në Tiranë, Rama paralajmëroi se qeveria do të kërkojë rivlerësimin e vendimit në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar atë një çështje që prek funksionimin e institucioneve të shtetit dhe autonominë e qeverisë.
“Do respektojmë vendimin e pezullimit të ministres, por do të kërkojmë drejtësinë e pavarur për çdo cenuar të funksionimit të qeverisë vetëm tek Kushtetuesja. Këta jemi ne, ky jam unë dhe kështu do të jetë deri në fund,” deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se vendimi i GJKKO ka pasoja direkte mbi funksionimin e kabinetit qeveritar dhe koordinimin e projekteve madhore infrastrukturore, duke nënvizuar se qeveria do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë për të garantuar vazhdimësinë e punës së saj.
Gjatë konferencës, Rama ishte i shoqëruar nga Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, e cila po vizitonte Tiranën për të diskutuar progresin e reformave dhe angazhimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. Rama theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit dhe stabilitetit institucional si elementë kyç për integrimin europian të vendit.
Vendimi për pezullimin e Ballukut u mor nga Gjykata e Posacme Antikorrupsion, duke cituar shkelje të procedurave ligjore në procesin e emërimit dhe përgjegjësitë administrative. Ky vendim ka shkaktuar reagime të ndryshme brenda skenës politike, ku partitë opozitare e kanë cilësuar si një hap të nevojshëm drejt përgjegjësisë ligjore, ndërsa mazhoranca e ka konsideruar një sfidë ndaj autoritetit qeverisës.



