Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar rezultatet e një auditimi të thelluar mbi Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH), duke evidentuar probleme serioze në menaxhimin e pagesave për përfituesit.
Verifikimet kanë zbuluar një sërë parregullsish, duke përfshirë pagesa të dyfishta dhe raste ku pensionet ose përfitimet janë kryer edhe pas ndarjes nga jeta të përfituesve.
Për vitin 2024, janë regjistruar 821 raste problematike, duke shkaktuar një humbje totale prej 36.9 milionë lekësh. Sipas raportit, deri më 31 dhjetor 2024, është arritur të rikuperohet pjesa më e madhe e dëmit, rreth 29 milionë lekë, përmes arkëtimeve në postë, banka dhe urdhër-xhirime.
Raporti shton:
“Nga kontrolli i kryer për rastet që kanë përfituar të ardhura pas vdekjes, për periudhën Janar – Dhjetor 2024, është konstatuar një dëm financiar prej 11,030 raste me vlerë 114,885,368 lekë. Kjo përfshin rastet kur përfituesi i pensionit ka tërhequr vetë pensionin, por ka ndërruar jetë në të njëjtin muaj. Pjesa pas datës së vdekjes duhet mbajtur nga granti. Krahasuar me vitin 2023, kjo shifër tregon një ulje prej 1,171 rastesh me vlerë 157,697 lekë.”
Nga 11,030 raste, 232 janë pa efekte financiare, ndërsa 10,798 raste kanë efekte financiare. Nga këto, 10,151 janë arkëtuar deri më 31 dhjetor 2024, në shumën 100,158,608 lekë.
Fonde ende të pa arkëtuara
Raporti nënvizon se 36,304,350 lekë mbeten ende të pa arkëtuara dhe kërkojnë vëmendje të shtuar për t’u rikuperuar plotësisht nga ISSH.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se procedurat e pagesave duhet të përmirësohen për të minimizar humbjet financiare dhe për të garantuar se fondet shkojnë tek përfituesit e duhur.



