back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 26 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetKronikëRaporti italian/ Rrjetet shqiptare kontrollojnë trafikun e kokainës, heroinës dhe kanabisit në...

Raporti italian/ Rrjetet shqiptare kontrollojnë trafikun e kokainës, heroinës dhe kanabisit në Europë

Grupet kriminale me origjinë shqiptare vazhdojnë të jenë ndër aktorët më aktivë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si në Itali ashtu edhe në pjesën më të madhe të Europës, sipas një raporti prej mbi 300 faqesh të publikuar nga DCSA (Direzione centrale per i servizi antidroga).

Raporti nënvizon se rrjetet shqiptare janë strukturuar në mënyrë sofistikuar, të ndara në tre nivele: drejtues, organizatorë dhe ekzekutorë. Organizatat përdorin komunikim të enkriptuar, lëvizin shpejt midis shteteve dhe konsiderohen ndër brokerët më të besueshëm për trafikun e kokainës, heroinës dhe kanabisit.

Bashkëpunimi Shqipëri–Itali dhe lufta ndaj kanabisit

Dokumenti përmend bashkëpunimin mes autoriteteve italiane dhe shqiptare në kuadër të fushatës ajrore vjetore “Campagna Sorvoli”. Gjatë vitit 2024, Fluturimet monitoruese të Guardia di Finanza-s identifikuan mbi 1,200 plantacione të dyshuara, ndërsa autoritetet shqiptare shkulën dhe asgjësuan mbi 109,000 bimë kanabisi.

Raporti nënvizon gjithashtu një ndryshim gjeografik në kultivimin e kanabisit, i cili po zhvendoset nga qarqet e Jugut drejt veriut dhe qendrës së vendit, duke përfshirë edhe zonat pranë Aeroportit të Rinasit.

Fokus i ri drejt drogëve të forta

Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare kanë zhvendosur fokusin nga kanabisi drejt drogëve të forta, kryesisht kokainë dhe heroinë, për shkak të fitimeve më të larta dhe rrezikut më të ulët operacional.

Raporti përmend edhe boshtin e trafikut Shqipëri–Turqi, ku marijuana shkëmbehet me heroinë për shkak të vëllimit më të vogël dhe lehtësisë së transportit.

Prania në Europë

Autoritetet italiane nënvizojnë se, pavarësisht bashkëpunimit me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe operacioneve intensive në terren, grupet shqiptare mbeten ndër më të fuqishmet dhe më të shtrira në Europë, me degëzim të qëndrueshëm në Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë dhe vendet e Europës Qendrore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat