back to top
8.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikëReality show apo shkelje ligji?/ Braçe ngre alarmin për Big Brother VIP

Reality show apo shkelje ligji?/ Braçe ngre alarmin për Big Brother VIP

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me përmbajtjen e reality show-t “Big Brother VIP”, duke e cilësuar atë si një mesazh të dëmshëm për fëmijët dhe një shkelje të hapur të ligjit për produktet e duhanit.

Sipas Braçes, programi është në qendër të vëmendjes publike dhe ndiqet masivisht nga të gjitha grupmoshat, përfshirë edhe fëmijët, pa asnjë filtër apo kufizim:

“Big Brother VIP është në qendër të vëmendjes. Të gjithë shohin dhe marrin nga aty. Edhe fëmijët, edhe fëmijët!”, shkruan Braçe.

Ai thekson se transmetimi 24/24, emisionet “prime” dhe përmbledhjet ditore nuk kanë asnjë kufizim për të miturit, duke lejuar shfaqjen e vazhdueshme të skenave ku përdoren cigare elektronike dhe produkte të tjera të ndaluara për fëmijët.

Braçe rikujton se vapat dhe cigaret elektronike janë të ndaluara me ligj për fëmijët, ndërsa mesazhi që përcillet përmes ekranit është, sipas tij, thellësisht i gabuar:

“Mesazhi që vjen nga fotot që shihni, 24 orë në ditë, është mesazh i keq për fëmijët. Pikërisht sepse është mesazh i keq, e kemi ndaluar me ligj të jepet nga televizioni.”

Deputeti sqaron se pjesëmarrësit në emision janë madhorë dhe përgjegjës për zgjedhjet e tyre personale, por thekson se ligji ndalon rreptësisht transmetimin e këtyre sjelljeve si modele për të miturit përmes televizionit.

“Është ekstremisht e ndaluar me ligj që këta, përmes televizionit, ta përcjellin si model edhe për fëmijët”, nënvizon Braçe, duke ftuar publikun të lexojë ligjin për produktet e duhanit.

Në reagimin e tij, Braçe zbulon gjithashtu se të martën e kaluar ka kërkuar ndryshime në Kodin Penal, për të forcuar masat ndëshkuese ndaj shkeljeve të tilla, por shpreh zhgënjim për mungesën e vullnetit politik:

“Kur përton të mendosh, doemos që nuk e kupton dhe as e voton dot”, përfundon ai.

Reagimi i Braçes rikthen në vëmendje debatin mbi përgjegjësinë e televizioneve kombëtare, mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme dhe zbatimin real të ligjit në media me audiencë të lartë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat