Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama, ku ka vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.
Ajo nënvizoi se reforma në drejtësi është një nga guret themelorë për procesin e integrimit dhe se duhet të vijojnë reformat për të siguruar anëtarësimin në BE. Komisionerja gjithashtu përmendi mbështetje financiare nga Bashkimi Europian, duke njoftuar se 1 miliard euro do të investohen për të realizuar reformat e nevojshme.
“Shqipëria e meriton të jetë pjesë e BE. Me ju në BE, Bashkimi Europian do të bëhet më e fortë. Ju jeni kampionë për bashkëpunimin rajonal. Ju po punoni fort për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Unë jam e sigurt se ky do të jetë sukses i përbashkët. Ju jeni në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe kjo është diçka e jashtëzakonshëm. Ne duam t’i japim Shqipërisë 1 miliard euro, që Shqipëria të bëjë të gjitha reformat, që vendi të bëhet pjesë e BE-së.
Ju keni të shenjtë mikpritjen, mirësinë. Parlamenti Europian ka vendosur të hapë zyrë në Tiranë. Po bëni një punë madhore. Tashmë duhet të bëni reformat, reforma në drejtësi është guri i themelit për të qenë pjesë e BE-së. Anëtarësimi i BE në Shqipëri duhet të jetë punë e çdo qyteti e fshati të vendit. Ne do kemi edhe një sondazh për zgjerimin. Shqipëria duhet të vlerësohet dhe më shumë nga shtetet anëtare, pasi kjo do ta bëjë anëtarësimin në BE më të lehtë”, u shpreh Kos.
Më tej Kos ka komentuar zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri gjatë një konference për mediat së bashku me kryeministrin Edi Rama.
Ajo e cilësoi këtë proces zgjedhor si një nga momentet më të rëndësishme në çdo demokraci, duke nënvizuar se ai ofron mundësinë për qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Zgjedhjet parlamentare janë një nga proceset më të rëndësishme në një demokraci, në çdo vend. Është zgjedhja e qytetarëve, që të bëjnë detyrën e tyre, duke votuar. Jam e sigurt se zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme. Jam e lumtur që shqiptarët që jetojnë jashtë do të votojnë”, tha Kos.