Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka njoftuar nisjen e një reforme të thellë në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke urdhëruar pezullimin e inspektimeve pa planifikim paraprak dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm për vlerësimin e trupës inspektuese.
Në një deklaratë për mediat, Denaj theksoi se vendimi vjen pas rritjes së ndjeshme të ankesave nga subjektet ushqimore, përfshirë tregtarët dhe bizneset e përpunimit të ushqimit, lidhur me sjelljen dhe qasjen e trupës inspektuese të AKU-së.
“Kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të inspektimeve të paplanifikuara dhe të pamiratuara. Kjo bëhet për të garantuar transparencën dhe respektimin e standardeve ligjore në mbrojtje të konsumatorit,” tha Denaj.
Komision vlerësimi me pjesëmarrjen e Universitetit Bujqësor
Për të riformatuar trupën inspektuese, do të ngrihet një komision me pesë anëtarë, tre prej të cilëve do të jenë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, i kryesuar nga profesori Ilir. Ky komision do të vlerësojë me shkrim dhe me gojë inspektorët ekzistues dhe kandidatët e rinj.
“Aplikantët e rinj që do t’i bashkohen kësaj trupe do të jenë pjesë e një fryme të re, me etikë dhe qasje bashkëkohore në funksion të mbrojtjes së konsumatorit final,” u shpreh ministrja.
Denaj njoftoi gjithashtu se në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor po shqyrtohet dyfishimi i kuotave për punësim të studentëve në institucionet e varësisë së Ministrisë.
“Studentët e Universitetit Bujqësor janë ndër më të mirët. Do të ishte moment i duhur që profili i inspektorit të ri të bazohej në këtë burim të vlefshëm njerëzor,” theksoi Denaj.
Ministrja nënvizoi se ky proces është pjesë e angazhimeve të qeverisë për realizimin e 83 prioriteteve për Shqipërinë 2030, dhe se garantimi i sigurisë ushqimore është një ndër detyrimet më të rëndësishme institucionale të saj.