Kryesuesi i grupit të punës për hartimin e Kodit të ri Penal, Arben Rakipi, gjatë fjalës së tij në tryezën e dytë teknike për prezantimin e draftit, iu përgjigj pyetjes nëse projekti i Kodit Penal mund të konsiderohet represiv.
Rakipi theksoi se drafti është paraqitur shpesh me “ngjyra pesimiste”, duke krijuar përshtypjen se represiviteti është fjala e parë e projektit, por sipas tij, kjo nuk pasqyron qendrimin real të grupit.
“E kuptoj shumë mirë efektet që mund të krijojë një përshtypje e tillë, por burimet për masat e dënimeve në draft janë të qarta: Kodi aktual, praktika gjyqësore, legjislacione të tjera me vepra të ngjashme, direktivat dhe eksperienca e anëtarëve të grupit,” – tha Rakipi.
Ai shtoi se duke u bazuar në këto elemente, grupi ka arritur në konkluzione të qarta për përshtatshmërinë e dënimeve, duke synuar një Kod Penal më të balancuar dhe modern.