Rezerva valutore e Shqipërisë ka arritur në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë, duke kapur shifrën mbi 6,7 miliardë euro në fund të qershorit, nga më pak se 6,3 miliardë euro në fillim të vitit. Rritja vjen si rezultat i blerjeve të detyruara mbi vlerat e planifikuara dhe eurobondit të marrë nga qeveria në muajin shkurt.
Sipas Dritan Vakasë, kreut të Shoqatës së Këmbimit Valutor, zhvlerësimi i euros ka vijuar pavarësisht rritjes së rezervës. “Oferta e euros është shumë e lartë dhe kjo po e zhvlerëson atë edhe jashtë sezonit turistik,” u shpreh ai për A2 CNN.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në krahasim me qershorin e vitit të kaluar, rezerva valutore është rritur me mbi 1,2 miliardë euro. Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson se kjo sasi është e mjaftueshme për të mbuluar mbi një vit importe, si dhe për të shlyer borxhin në valutë e për të stabilizuar tregun valutor.
Megjithatë, rritja e rezervës po shoqërohet me pasoja negative për eksportuesit, të cilët po përballen me një kurs këmbimi të pafavorshëm. “Këtë vit eksportuesit do të konsumojnë ‘dhjamin’ e akumuluar. Vitin e ardhshëm mund të shohim shkurtime dhe falimentime,” paralajmëroi Vakaj.
Rezerva valutore luan një rol kyç në mbështetjen e tregtisë ndërkombëtare dhe zbutjen e luhatjeve të forta të valutës, por në këtë rast, forca e lekut po kthehet në sfidë për sektorin eksportues.