Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) i është drejtuar zyrtarisht kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, me kërkesën për të nisur një hetim administrativ mbi grupet e numëruesve të votave të zgjedhjeve të pjesshme të 11 majit.
Në një shkresë zyrtare, KAS evidenton mospërputhje serioze mes tabelave të rezultateve të nxjerra nga Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe gjendjes faktike të fletëve të votimit gjatë rinumërimit të kryer në kuadër të procedurave ankimore.
“Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona zgjedhore provoi në disa raste mospërputhje të theksuara… Këto mospërputhje duhet të hetohen nga ana juaj për të identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave,” – thuhet në shkresën e KAS drejtuar Celibashit.
Dyshime për tjetërsim të qëllimshëm të votës
Sipas KAS, disa prej këtyre mospërputhjeve nuk janë thjesht gabime teknike, por mund të përbëjnë raste ku rezultati i votimit është tjetërsuar nga anëtarë të GNV-ve, duke deformuar vullnetin e zgjedhësve.
“Mospërputhjet janë të tilla që prima facie tregojnë se në raste të posaçme ka tjetërsim të rezultatit të votave,” – thekson Komisioni.
Hetimi, në fokus të transparencës zgjedhore
KAS i kërkon Celibashit që hetimi administrativ të nisë menjëherë, duke konsideruar rëndësinë që ka për integritetin e procesit zgjedhor dhe për llogaridhënien e strukturave të përfshira në numërimin dhe administrimin e votës.
Zgjedhjet e 11 majit janë shoqëruar me disa ankesa dhe rinumërime në qarqe të ndryshme, ku sipas burimeve zyrtare, janë konstatuar parregullsi në raportimin dhe përputhjen e rezultateve.