Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se në kaskadën e Drinit kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, si pasojë e rritjes së prurjeve nga reshjet e dendura të shiut.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rama ka ndarë pamje nga kaskada e Drinit, duke theksuar se aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 metra kub ujë në sekondë, përveç prodhimit të energjisë. Sipas tij, këto shkarkime po kryhen nën monitorimin dhe menaxhimin e specialistëve të hidrocentraleve.
Kryeministri ka sqaruar se deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë, ndërsa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) po ndjek nga afër situatën dhe po merr të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e prurjeve.
Ai shtoi se Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH, me qëllim minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të saj. Autoritetet sigurojnë se situata mbetet e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndërsa monitorimi do të vijojë në mënyrë të pandërprerë.



