Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, theksoi se transmetimi i ndeshjeve të Kombëtares mbetet një kërkesë e vazhdueshme e publikut dhe një objektiv prioritar për televizionin publik.
Hoxhalli bëri të ditur se RTSH do të marrë pjesë në tenderin e radhës të UEFA-s për të siguruar të drejtat ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve të Kombëtares shqiptare. Ai shtoi se konkurenca është e fortë, por besimi i RTSH-së për sukses është i plotë.
“Ky është problem i madh edhe për ne, është kërkesë e vazhdueshme e publikut. Është e panatyrshme që Kombëtarja shqiptare e Futbollit edhe në këto ditë performance të shkëlqyer, të mos transmetohet në kanalet e RTSH. Po bëjmë maksimumin për të bërë një ofertë që do ia dalë të fitojë të drejtat e Kombëtares shqiptare të Futbollit për RTSH. Tregu është agresiv, konkurrenca është e lartë por kemi bindjen e plotë se këtë radhë do ia dalim,” tha Hoxhalli.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, shfaqi skepticizëm duke aluduar për mundësi presioni politik:
“Ishalla nuk ju vjen ndonjë telefonatë që të hiqni dorë nga pretendimi juaj,” deklaroi Xhafaj.
RTSH ka përparuar më parë në marrjen e të drejtave ekskluzive të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ndërsa tani synon që tifozët shqiptarë të kenë mundësi të ndjekin ndeshjet e Kombëtares në kanalet e televizionit publik pa ndërprerje.



