Pas takimit me demokratët në Durrës, Ervin Salianji foli për gazetarët jashtë sallës, duke theksuar se qëllimi i këtij aktiviteti është ringritja dhe zgjimi i Partisë Demokratike.
Salianji nënvizoi se PD duhet të kthehet tek njerëzit dhe të fokusohet tek bashkëbisedimi me bazën pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.
“Është salla plot dhe ka njerëz jashtë. Cilitdo prej politikanëve dhe atyre të PD-së duhet t’i kthehen njerëzit, te kafetë, te takimet, te bashkëbisedimi, për të bërë të mundur zgjimin dhe ringritjen e PD-së,” tha Salianji.
Ai shtoi se do të marrë pjesë në çdo takim ku do të ftohet nga demokratët për të dëgjuar, bashkëbiseduar dhe ndarë mendimet mbi mënyrën se si PD mund të bëhet më e fortë dhe alternativë ndaj qeverisjes së PS-së.
“Ky është një takim ku janë të gjitha strukturat e PD-së dhe lista më e votuar e Durrësit. Deputetët janë pjesë e Këshillit Kombëtar. Ka qenë menduar nga organizatorët që të jetë një format ku flitet hapur dhe qartë, dhe ku mendimi të shkojë aty ku duhet,” u shpreh ai.
Salianji theksoi se interesi kryesor i çdo takimi është ringritja e PD-së dhe shërbimi ndaj interesit publik dhe opozitar të partisë.



