Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se disa vende aleate, mes tyre Shtetet e Bashkuara, Hungaria dhe Sllovakia, nuk mbështesin aktualisht anëtarësimin e Ukrainës në Aleancë.
Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin polak të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.
Rutte theksoi se megjithëse në samitin e Washington-it aleatët ranë dakord për “pakthyeshmërinë” e rrugës së Ukrainës drejt NATO-s, ekziston një realitet praktik që e vështirëson këtë proces.
“Disa vende kanë deklaruar qartësisht se nuk do të japin pëlqimin për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Këto përfshijnë Hungarinë, Shtetet e Bashkuara dhe Sllovakinë, si dhe ndoshta disa vende të tjera”, u shpreh Rutte.



