Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka publikuar sot vendimin përfundimtar për çështjen penale që i përket procedimit nr. 9/2023, ku të pandehur janë Behar Brajoviq, Edmond Preka, Astmer Bilali, Xhevahir Lita dhe Oltian Bistri. Procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ndërsa vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, me numër vendimi 73, datë 18.11.2025.
Dënimi më i lartë: 8 vite e 8 muaj burg për Behar Brajoviqin
Behar Brajoviq u shpall fajtor për disa vepra penale të rënduara, përfshirë:
Sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në dy episode të veçanta,
Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal,
Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal,
Korrupsion aktiv ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të drejtësisë.
Në total, pas bashkimit të dënimeve dhe uljes me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, Brajoviqi do të vuajë 8 vite e 8 muaj burg, në një institucion të sigurisë së lartë. Dënimi nis nga momenti i ekzekutimit të masës “arrest në burg”.
Edmond Preka denohet me 7 vite burg
I pandehuri Edmond Preka u shpall fajtor për:
Sigurim kushtesh për kryerje vrasjeje,
Mbajtje pa leje të armëve,
Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Pas bashkimit të dënimeve dhe uljes me 1/3, ai u dënua përfundimisht me 7 vite burg, me vuajtje në burg të sigurisë së lartë.
Astmer Bilali: 5 vite e 8 muaj burg
Astmer Bilali u dënua për:
Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në tre episode,
Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Pas uljes me 1/3, ai do të vuajë 5 vite e 8 muaj burg.
Xhevahir Lita, lirimi nga paraburgimi pas vendimit
I pandehuri Xhevahir Lita u shpall fajtor për:
Zbulim të akteve sekrete,
Dy raste të korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të drejtësisë.
Në total, pas bashkimit të dënimeve dhe uljes për gjykim të shkurtuar, Lita u dënua me 3 vite e 4 muaj burg.
Meqë periudha e vuajtur në paraburgim është më e gjatë se dënimi i dhënë, GJKKO urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij, nëse nuk mbahet për një çështje tjetër penale.
Oltian Bistri: Pafajësi për korrupsion e pastrim parash, dënim me 2 vite burg për nxjerrje sekreti
Gjykata shpalli të pafajshëm Oltian Bistrin për dy akuza:
Korrupsion pasiv i personave me funksione publike,
Pastrimi i produkteve të veprës penale.
Ai u dënua vetëm për veprën “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” me 2 vite burg, pas uljes me 1/3.
Ashtu si në rastin e Litës, GJKKO urdhëroi lirimin e tij, pasi koha e kaluar në paraburgim është më e madhe se dënimi.
Vendimi për provat materiale dhe pasuritë
Gjykata mori një sërë vendimesh të detajuara mbi provat materiale të sekuestruara, përfshirë armë, pajisje elektronike, DVR, telefona, paruke, kamera kurthi dhe sende të tjera. Disa prej tyre u konfiskuan për llogari të shtetit, ndërsa të tjera iu kthyen të pandehurve.
Në mënyrë të veçantë, gjykata rrëzoi kërkesën për konfiskimin e shumës totale prej 1,000,300 euro, si edhe disa pasuri të paluajtshme të lidhura me të pandehurit, duke vlerësuar se kërkesa nuk ishte e bazuar në ligj dhe në prova.



