Një banor i fshatit Skënderbegas në Gramsh është shtruar në spital pas asfiksimit nga tymi i zjarreve që kanë shkrumbuar shtëpi, bagëti dhe sipërfaqe të tëra tokash në zonë. Gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa pranë tij ndodhet kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, që po ndjek nga afër trajtimin.
Banori rrëfen se vendosi të mos largohej nga shtëpia, pavarësisht rrezikut, derisa forcat e Ushtrisë dhe Policisë ndërhynë dhe e evakuuan me forcë. “Isha vetëm, gruaja dhe djali në spital. Nuk doja të ikja, kisha shtëpinë dhe bagëtitë. Situata është e vështirë, është djegur çdo gjë, bagëti dhe shtëpi në fshatin Skënderbegas. Ca fshatra të tjerë janë djegur fare,” tha ai për Report TV.
Ai tregon se kishte përgatitur rreth 10 kuintalë ujë dhe markusë për të shuar flakët, por situata u përkeqësua me shpejtësi. “Si ka mundësi të digjet Shqipëria për dy minuta. Ne shikonim zjarret nga malet, ai na erdhi te shtëpia. Ata uruar qofshin që na shpëtuan, ushtria dhe policia, se unë nuk ikja po të mos ishin ata,” u shpreh banori.
Autoritetet vijojnë punën për izolimin e vatrave të zjarrit në zonë, ndërsa apelojnë për largimin e menjëhershëm nga banesat në rast rreziku.



