Sekretari i Përgjithshëm i Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës, Mathieu Mori, i ka dërguar një letër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e njoftuar për vizitën e afërt të Komitetit të Monitorimit në Shqipëri, e cila do të zhvillohet në datat 17-19 nëntor 2025.
Në letër theksohet se qëllimi i vizitave të këtij lloji është përgatitja e një raporti të përditësuar mbi gjendjen e demokracisë vendore dhe rajonale, përmes dialogut të hapur me autoritetet në nivelet shtetërore, rajonale dhe vendore.
“Komiteti i Monitorimit e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve që do të monitorohen në vitin 2025. Për rrjedhojë, propozohet një vizitë monitoruese në vendin tuaj për datat 17–19 nëntor 2025,” shkruhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Kjo vizitë vjen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese po shqyrton ankimin e Veliajt lidhur me shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke e vendosur vendin në fokusin e institucionit europian për çështje të qeverisjes vendore dhe respektimit të ligjit.



