Shqipëria ka marrë për herë të parë drejtimin e Komitetit Monitorues të programit “Interreg Europe”, një prej nismave më të rëndësishme të Bashkimit Evropian për bashkëpunimin ndërrajonal. Ky moment u vlerësua nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës si një “hap historik që reflekton rritjen e rolit të vendit tonë në bashkëpunimin evropian”.
Me këtë vendim, Shqipëria bëhet vendi i parë kandidat për anëtarësim në BE që merr drejtimin e këtij Komiteti. Aktualisht, vendi ynë ka 34 partneritete aktive dhe mbi 30 organizata pjesëmarrëse, duke kontribuar në fusha si tranzicioni i gjelbër, inovacioni territorial dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.
Në dhjetor 2025, Tirana do të presë mbledhjen e radhës të Komitetit Monitorues, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga 36 vende evropiane. Ky aktivitet do të shërbejë si një mundësi e rëndësishme për të promovuar partneritetet shqiptare dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira ndërmjet rajoneve.
“Kryesimi ynë është më shumë se një përgjegjësi – është një mundësi për të çuar më përpara vizionin europian të Shqipërisë”, theksoi Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.